Beteja për Rahovecin zgjati një javë, ndërsa ballafaqimi ishte i ashpër, tregon ish-luftëtari i UÇK-së në zonën e Rahovecit, Qemajl Krasniqi.
Në një lidhje direkte në “FIVE” të RTV Dukagjini, Krasniqi tregon se beteja e Rahovecit ishte një përpjekje legjitime për të çliruar territorin, përpjekje kjo që zgjati një javë.
“Është e vështirë të përgjigjemi se si nisi kjo betejë, ngase në atë kohë kemi pasur problem me komunikim në mes formacioneve ushtarake, respektivisht njësive të UÇK-së në zonën operative të Pashtrikut. Rrugët e komunikimit ishin ndërprerë nga forcat serbe, prandaj është e vështirë të thuhet se kush dhe si dhe kur u mor vendimi për të hyrë në qytetin e Rahovecit. Por, konsideroj se ishte një përpjekje legjitime e UÇK-së për të çliruar territorin…Beteja për Rahovecin zgjati përreth 1 javë. Ishte një ballafaqim jashtëzakonisht i ashpër dhe shumë i dhunshëm. Hyrja e UÇK-së në mbrëmjen e 17 korrikut në Rahovec i alarmoi organet e atëhershme serbe, ushtrinë e Policinë, të cilët u mobilizuan si asnjëherë më parë në Kosovë, deri në atëherë sepse në Rahovec kishte një numër të konsiderueshëm të serbëve, por ishte një pikë strategjike që mund të ndikonte në fotot e luftës.. ishte një urëlidhëse në mes zonës operative të Pashtrikut dhe zonave të tjera të UÇK-së. Lirimi i këtij territori kishte një rëndësi të madhe strategjike për UÇK-në, por po ashtu edhe për palën serbe, ishte e rëndësishme për historinë e tyre dhe propagandën ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar ai.
Tutje, Krasniqi tregon se ajo çka i ndodhi Rahovecit më shumë mund të konsiderohet një “mësim” për të tjerat zona me shqiptarë asokohe.
“Nuk ishte vetëm hakmarrje, por ishte edhe një përpjekje për t’i dhënë mësim shqiptarëve se nëse vazhdojnë edhe më tej me rezistencën, do t’i ndodhë ajo që i ndodhi Rahovecit”, ka treguar ai.
Më 19 korrik të vitit 1998, në Rahovec shumë shqiptarë u vranë e u plagosën si pasojë e një sulmi të forcave serbe.
Në mesin e tyre, fëmijë, gra e të moshuar.