Lista Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë, ka reaguar pas njoftimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se sulmi me granatë dore në Lagjen e Boshnjakëve ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të tre serbëve, të cilët dyshohen për masakra e tortura ndaj shqiptarëve në Vushtri e në Burgun e Smrekovnicës.
“Shfrytëzojmë rastin të dënojmë publikisht këtë sjellje të Sveçlës së arratisur të Kurtit, e cila e përshkallëzon më tej situatën, por edhe këtë ngjarje që ka mërzitur të gjithë qytetarët dhe që padyshim është pasojë e retorikës ndezëse të regjimit në Prishtinë që “e njeh” kombësinë e autorët pa asnjë provë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Po ashtu, Lista Serbe i ka bërë thirrje EULEX-it të përfshihet drejtpërdrejt në hetime, si në lidhje me arrestimin e serbëve për krime lufte, ashtu edhe në lidhje me incidentin e së enjtes në Mahallën e Boshnjakëve.
Policia e Kosovës kishte konfirmuar se pas mesnatës të së enjtes në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ka pasur një shpërthim.
Këtë e ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani.
Ai ka thënë se dyshohet se shpërthimi ka të bëjë me granatë të dorës M75.
Përveç dëmeve të vogla materiale, nuk raportohet për të lënduar.