Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka deklaruar se nuk është problem nëse Asociacioni është i përfshirë brenda Kushtetutës apo jo, pasi sipas tij, problemi kryesor është se ky Asociacion do të njihet ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova do të mbetet e panjohur.
“Për mua nuk do të thotë shumë nëse është brenda Kushtetutës apo jashtë saj. Për mua është problematike nëse themelohet ky Asociacion, pasi do të njihet nga e gjithë bota, ndërkohë që Kosova do të mbetet e panjohur nga bota. Ky është një problem për mua jashtëzakonisht i madh”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Po ashtu, ai ka thënë se drafti i Asociacionit duhet të bëhet publik, pasi sipas tij, mospublikimi i tij shton dyshimet mbi të.
“Nëse drafti është përfundimtar dhe nuk ka më se çfarë të diskutohet mbi të, pse të mos bëhet publik, nuk ka arsye, duhet të bëhet publik dhe qytetarët duhet me pas qasje në të me pa se çfarë po përgatitet në Kosovë. Kjo mungesë e transparencës veç çka i shton dyshimet mbi të”, ka deklaruar Mushkolaj.
Gjithashtu, Mushkolaj ka deklaruar se ndaj një kompromisi të mundshëm për serbët në Kosovë dhe Beogradin një njohje defacto nuk është e mjaftueshme. Ai ka theksuar nevojën për njohje të plotë dhe vendosjen e raporteve diplomatike ndërshtetërore me Serbinë.
“E dyta, ky kompromis i madh për serbët në Kosovë rrjedhimisht edhe për Beogradin, në raport me çka po e bëjmë këtë kompromis, çka po marrim si dobishme prej kësaj punë, një njohje defacto, çfarë është njohje defacto, unë mendoj se njohja është njohje. Ky i është njëlloj ide sikur të njeh Serbia, por nuk të njeh bash tamam. Ne kemi nevojë me të na njohë Serbia dhe me vendos raporte diplomatike ndërshtetërore me Serbinë, përndryshe nëse Asociacioni themelohet bazuar në draftin që është përfolur që ne nuk e kemi parë, edhe është shumë keq se nuk e kemi parë”, ka deklaruar ai.