Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka njoftuar se tashmë janë bërë tri vjet mungesë në ndjekjen e krimeve të luftës, ka thënë se qeveria e Kosovës pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës.
Ai ka thënë se kriminelët e luftës duhet dënuar dhe sipas tij, për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit.
“Për këtë, brenda vitit të parë kemi shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve specialë dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Po ashtu, po punojmë në krijimin e Institutit që do dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës, e po punojmë zellshëm në hartimin e strategjisë per drejtësinë tranzicionale”, ka thënë kryeministri.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, i pari i ekzekutivit ka theksuar se pesha e përgjegjësisë e organeve të drejtësisë tejkalon atë profesionale dhe imponon veprim efikas.
“Kodi i Procedurës Penale i Kosovës mundëson gjykimin në mungesë. Para tri vitesh, kërkesa e pashtershme për drejtësi për viktimat, ka sjellë deri te miratimi i një norme të këtillë juridike që mundëson mbarëvajtje të procesit gjyqësor pa praninë e të akuzuarit”, ka thënë ai duke shtuar se “këtë e kemi borxh”.
Po ashtu, kryemisnitri Kurti ka theksuar se krimet e luftës nuk parashkruhen.
“Me këto ikin edhe ata të cilëve shteti u ka borxh vënien e drejtësisë për familjarë të vrarë e për dhimbjen e papërballueshme e cila po mbetet pa përgjigje”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Kurti kishte theksuar se referimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për Kosovën si precedent për të ndërhyrë në punët e një shteti tjetër më të vogël, “nuk është asgjë më shumë se gënjeshtër”.
I pari i ekzekutivit kishte potencuar se ashtu siç nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.