Abelard Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të PKD-së, ka theksuar se mosmbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte një dëm i madh për vendin përballë “qeverisjes së dobët aktuale”.
Në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka shtuar se dritarja kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit është e hapur edhe për dy ditë të tjera, duke lejuar që, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 30 qershor apo 7 korrik.
“Mosmbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë rast mosshpërndarja e Kuvendit do të jetë edhe një dëm që do t’i bëhet vendit tonë në raport me këtë qeverisje jashtëzakonisht të dobët që e kemi, ju e shihni që vendi ynë vazhdon të jetë nën masa dhe sanksione nga BE-ja, në anën tjetër dështimet në politikën e jashtme janë të njëpasnjëshme. Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit kanë mbetur edhe dy ditë hapur, ajo dritarja kushtetuese le të themi që Kuvendit t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor apo shtatë korrik”, ka thënë ai.
Tahiri shpreson se në dy ditët e ardhshme do të arrihet një epilog për këtë çështje, duke vazhduar konsultimet dhe thirrjet deri në momentin e fundit për shpërndarje të Kuvendit.
“Vjeshta duhet ta gjejë vendin tonë me një qeveri të re dhe një kryeministër të ri, që të nxjerrë vendin nga sanksionet dhe të fillojë një agjendë zhvillimore”, ka deklaruar ai.