Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duhet të japë dorëheqje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Gashi ka thënë se nëse kryeministri Kurti dëshiron zgjedhje, duhet t’i ofrojë ato.
“Sa i përket zgjedhjeve, është vetëm një zgjidhje, pra zgjidhja është dorëheqja e kryeministrit. Pra kryeministri, nëse dëshiron zgjidhje dhe zgjedhje, duhet ai ta ofrojë zgjidhjen. Zgjidhja duhet të jetë dorëheqja pastaj shkuarja në zgjedhje. Dhe nëse planifikon që vendi të shkon në zgjedhje, koha për të kapur mundësinë e zgjedhjeve në korrik, pra javën e parë, është drejt momenteve të veta të fundit”, ka deklaruar Gashi në konferencë për medie.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka theksuar se mosmbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte një dëm i madh për vendin përballë “qeverisjes së dobët aktuale”.
Në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka shtuar se dritarja kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit është e hapur edhe për dy ditë të tjera, duke lejuar që, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 30 qershor apo 7 korrik.
“Në vjeshtë me kryeministër të ri”, PDK-ja insiston në shpërndarjen e Kuvendit