Modi bisedon me Bidenin për vizitën e tij në Ukrainë

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka biseduar me presidentin amerikan, Joe Biden, lidhur me vizitën e tij në Ukrainë, teksa Shtëpia e Bardhë tha se shpreson se ai mbështet qëndrimin e Kievit për t’i dhënë fund pushtimit të nisur nga Rusia.

Modi, i cili zemëroi ukrainasit pasi së fundi u takua në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, vizitoi Kievin javën e kaluar dhe i tha presidentit Volodymyr Zelensky se “asnjë problem nuk duhet të zgjidhet në fushëbetejë”.

Duke e informuar Bidenin për vizitën e tij, gjatë bisedës telefonike Modi “përsëriti qëndrimin e vazhdueshëm të Indisë në favor të dialogut dhe diplomacisë dhe shprehu mbështetjen e plotë për rikthimin e paqes dhe stabilitetit”, tha Ministria e Jashtme e Indisë përmes një njoftimi.

I pyetur për përgjigjen e Bidenit, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se SHBA-ja mbështet të gjitha shtetet që e dëgjojnë mendimin e Zelenskyt sa i përket përfundimit të luftës.

“Ne mirëpresim çdo shtet që dëshiron të ndihmojë presidentin Zelensky drejt arritjes së paqes”, tha Kirby për gazetarët.

Zelensky ka kërkuar kthimin e të gjitha territoreve që Rusia ka pushtuar që kur ka nisur luftën në shkurt të vitit 2022.

India nuk ka mbështetur në mënyrë eksplicite qëndrimin e Zelenskyt. Pavarësisht se ka raporte të ngushta me Uashingtonin, India ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve amerikane kundër Moskës, me të cilën ka raporte historike.

India tha po ashtu se Modi dhe Bideni kanë biseduar edhe për situatën në Bangladesh, ku liderja Sheikh Hasina, një aleate e ngushtë e Nju Delhit, dha dorëheqje dhe u largua nga shteti më herët gjatë këtij muaji, pasi protestat masive kundërshtuan sundimin e saj gjithnjë e më autoritar./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Të fundit nga rubrika