Gazetari kosovar, Zijadin Gashi, ka vdekur mëngjesin e së martës.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët përmes rrjeteve sociale.
“Të dashur familjarë e miq, Me dhimbje të thellë ju njoftojmë që sot me datë 3.12.2024 ndërroi jetë më i dashuri jonë, Zijadin Gashi. Varrimi do të bëhet sot në varrezat e qytetit të Prishtinës në kohën e Ikindisë, ora 14:00”, thuhet në njoftimin e familjarëve të tij.
Zijadin Gashi pak muaj më parë i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike në tru.
Atë kohë vetë gazetari Gashi kishte njoftuar se operimi ka rezultuar i suksesshëm dhe se pret që t’i kalojë edhe sfidat pas operacionit, duke shpresuar se një ditë do t’i rikthehet edhe profesionit.
Zijadin Gashi ka qenë pjesë aktive e gazetarisë kosovare para dhe gjatë luftës, kurse edhe pas çlirimit punoi në disa prej mediumeve të shkruara e elektronike në Kosovë.
Gashi ndër të tjera ka qenë edhe redaktor i lajmeve qendrore në Televizionin Dukagjini.
Së fundmi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, kishte ndarë mirënjohje për Gashin, pikërisht për kontributin e dhënë në gazetari, gjatë periudhave të vështira të Kosovës.
Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi të vlefshme në gazetari.
Siç ka njoftuar familja, varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në varrezat e qytetit të Prishtinës, ora 14:00.
Portali Dukagjini u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij!