Kryeministri aktual, Albin Kurti, që sërish është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen.
Ai ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Ditë e re dhe me zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar deri në këto çaste, e inkurajoj çdo njeri të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme. Gëzuar e suksese”, tha Kurti.
Ndryshe, kandidatët e tjerë për kryeministër në këto zgjedhje janë: Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.