Raportet financiare, VV-ja partia më e pasur – AAK në borxh për objektin

Lëvizja Vetëvendosje është partia më e pasur për nga buxheti që posedon. Pas saj më së shumti të hyra ka PDK-ja, pas së cilës vijnë LDK-ja dhe AAK-ja. Por, këtë të fundit e ka futur në obligime blerja e objektit të ri në vlerë të mbi 500 mijë eurove. Të dhënat janë pjesë e raporteve të paaudituara financiare, që janë publikuar nga KQZ-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2024.

Më së shumti të hyra ka partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje me afro 2 milion e 340 mijë euro.

Prej tyre afro 2 milionë e 260 mijë euro i ka nga buxheti shtetit.

Sikurse të hyrat, kjo parti të mëdha i pati edhe shpenzimet, në total 1 milion e 800 mijë euro.

Shumica e këtyre parave shkuan për paga dhe kompensime, reklama e konferenca, ndërkaq për fushatë LVV gjatë vitit të kaluar i shpenzoi 163 mijë euro.

Kurse PDK-ja, për dallim nga viti i kaluar, sivjet vit e ka shkelur milionin për nga të hyrat, gjithsej 1 milion e 30 mijë euro.

760 mijë nga buxheti i shtetit, afro 200 mijë nga “Hyrat e tjera” siç është paraqitur në raport, afro 50 mijë nga fushata e 30 mijë nga kontributet janë burimet kryesore të të hyrave të partisë së Memli Krasniqit.

Ndërsa shpenzime pati afro 940 mijë euro të cilat kryesisht ishin për paga, reklama, e shpenzime të fushatës.

LDK-ja në anën tjetër ka pasur 643 mijë euro të hyra në 2024-tën, 600 mijë prej të cilave i mori nga buxheti i shtetit.

Ndërkaq të hyrat tjera më të mëdha prej 25 mijë euro i pati nga fushata.

Gjithsej, LDK-ja i shpenzoi 595 mijë euro.

Partisë së Lumir Abdixhikut paratë i shkuan në  paga e kompensime, reklama e konferenca, shpenzime të fushatës dhe ato të transportit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga partitë parlamentare është e vetmja që ka dalë minus vitin e kaluar, pasi të hyrat e saj kanë qenë vetëm 325 mijë e 58 euro ndërsa shpenzimet, siç figurojnë në raport, kanë arritur në 907 mijë e 796 euro, duke krijuar një deficit prej afro 590 mijë euro.

Në këtë diferencë, partia e Ramush Haradinaj ka sqaruar se ndikon blerja e objektit të ri të partisë për 570 mijë euro, shumë kjo e cila sipas AAK-së, do të shlyhet brenda 6 viteve të ardhshme.

KQZ-ja ka theksuar se këto raporte financiare të paaudituara mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.

Shija e redaktorit

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Osmani pritet me nderime ushtarake në Riad të Arabisë Saudite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake në vizitën e saj në Arabinë Saudite.  Ajo po qëndron në Riad, pas ftesës që...

Të fundit nga rubrika