Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pa masa ndaj sjelljeve të Sami Kurteshit

Sjellja e paprecedentë e anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi ndaj gazetarëve me sa duket nuk i ka penguar anëtarëve të tjerë të këtij institucioni. Ndaj tij nuk ka asnjë procedurë aktive disiplinore të shkarkimit, ashtu siç e parasheh ligji, proces të cilin pastaj duhet ta miratojë Presidentja, ndonëse organizatat e shoqërisë civile thonë se ligji në këtë pikë është i mangët

Gjuha ishte aq e ashpër ndaj gazetarëve sa Prokuroria Themelore në Prishtinë dha urdhër që Sami Kurteshi, anëtar i Vetëvendosjes në KQZ të intervistohet nga Policia e Kosovës.

Ndonëse nuk ka vendim të lëshuar nga organet e drejtësisë për këtë situatë, një nen i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme jep hapësirë që të merren veprime ndaj këtij anëtari të KQZ-së.

Me ndryshimin e ligjit, rekomandimi për shkarkimin e një anëtari bëhet nga vet KQZ-ja, edhe duke e votuar pastaj të njëjtin.

Ky propozim sipas ligjit duhet pastaj t’i dërgohet Presidencës së Kosovës.

Institucioni në fjalë ia ka konfirmuar Dukagjinit se një rekomandim i tillë nuk ka shkuar akoma në adresë të tyre.

“Deri më tani, një propozim i tillë nuk është adresuar nga ana e KQZ-së në Presidencë. Anëtarët e KQZ-së, përgjatë gjithë procesit zgjedhor dhe në çdo situatë që ndërlidhet me të, duhet ta respektojnë betimin që japin kur dekretohen në këtë institucion”, ka thënë Bekim Kupina – Presidenca e Kosovës.

Gjithsesi, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës po thotë se pika e këtij ligji që flet për integritetin e KQZ-së është e mangët.

“Kur kemi shkelje të integritetit të sjelljës së anëtarit të KQZ-së vetëm theksohet fakti që mund të propozohet, pra bëhet me anë të një propozimi por nuk ceket se kush e bën propozimin, a duhet të bëhet me 2 të tretën e anëtarëve të KQZ-së apo mjafton që një anëtar i KQZ-së ta propozoj shkarkimin e një anëtari tjetër dhe pastaj të votohet për apo kundër shkarkimit të këtij anëtari”, ka thënë Vullnet Bugaqku – KDI.

Ndërsa, ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Beraliu po thotë se specifikat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk ndërlidhen me sjelljet e Sami Kurteshit.

“kompetencën e ka organi ndjekës që të hetoj e të vërtetoj nëse janë përmbushur elementet e ndonjë vepre tjetër penale ose edhe në dispozitat e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme që nuk kanë  të bjënë drejtpërdrejt me këtë sjellje pa dashur të thellohem në interpretim”, ka thënë Mazllum Beraliu – Ish-kryetar i KQZ-së.

Anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në kushte anonimiteti i kanë thënë Dukagjinit se deri tani nuk ka pasur as iniciativë për të diskutuar për këtë çështje e aq më pak për të dërguar tek Presidentja një rekomandim të tillë.

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika