Inspektoriati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunë në familje” në Gjilan. Tutje thuhet se iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë të dyshuarit.
Në njoftimin e IPK-së bëhet e ditur se fillimisht disa ditë më parë IPK-ja ka pranuar një ankesë nga një qytetare nga Gjilani e cila pretendonte se një zyrtar policor (i cili ishte i fejuari i saj) ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj dhe pas hetimeve e dëshmive, është siguruar baza e dyshimit se zyrtari policor ishte i dyshuar dhe ka përdorur dhunë ndaj saj.
“Disa ditë më parë hetuesit e Inspektorat Policor të Kosovës kanë pranuar një ankesë nga një qytetare nga Gjilani e cila pretendonte se një zyrtar policor (i cili ishte i fejuari i saj) ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.
Pas pranimit të këtyre informacioneve, bazuar në veprimet hetimore paraprake të realizuara dhe nga dëshmitë e mbledhura nga hetuesit e IPK-së është siguruar një bazë e dyshimit të arsyeshëm se zyrtari policor i përfshirë si i dyshuar në këtë rast ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj ankueses. Bazuar në këto rrethana, me dyshimin se zyrtari policor ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Në kuadër të veprimeve të natyrës administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, ka njoftuar IPK-ja.