Në prag të tentativës së 14-të për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit deputeti i LDK-së Lutfi Haziri, ka deklaruar se paralajmërimet për një vakum institucional nuk qëndrojnë.
Sipas tij, në politikë nuk ka vakum, por peshë politike, dhe kjo është përcaktuar më 9 shkurt nga qytetarët.
“Paralajmërimi i djeshëm i kryeministrit në detyrë se Kosova po kalon në një proces të një vakumi institucional nuk qëndron. Sepse në politikë nuk ka vakum institucional, ka peshë politike, dhe më 9 shkurt është përcaktu kjo peshë”, ka thënë Haziri.
Ai theksoi se mungesa e një marrëveshjeje politike për krijimin e qeverisë është arsyeja pse procesi i zgjedhjes së kryetares së Kuvendit nuk po ecën përpara.
“Me vetë faktin që ende nuk kemi një marrëveshje politike për qeverinë, nuk po besoj që mund të përballohet zgjedhja e kryetares e nominuar prej Vetëvendosjes, sepse është proces i lidhur – përkundër që kryeministri në detyrë po tenton me i nda këto dy procese”, ka shtuar Haziri.
Lidhur me pozicionin e LDK-së, Haziri tha se partia nuk ka preferenca të reja apo të vjetra, por veprim politik në përputhje me situatën.
“Qytetarët kanë pa ofertën tonë dhe na kanë dhënë peshën që kemi. LDK nuk ka preferenca të reja apo të vjetra, ka veprim politik për situatën ku jemi”, ka thënë ndër të tjera Haziri.