Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, deklaroi se së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta, janë dakorduar që Mali i Zi mund të shndërrohet në një dritë në fund të tunelit – një dëshmi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është ende i gjallë.
“Ju po dorëzoni rezultate jo vetëm në fushën e reformave, por edhe në përputhjen e politikave me BE-në, duke mbështetur një paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Vetëm dje, Parlamenti Evropian e njohu përparimin që keni bërë me një shumicë dërrmuese. Tani është vendimtare të ruani këtë ritëm, të mbani fokusin dhe të mos lejoni që progresi të ngadalësohet,” theksoi Kosta gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të Presidentit Milatoviq.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kosta nënvizoi se synimi që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028 është një slogan i mirë, por do të kishte rëndësi që ky objektiv të realizohej edhe më herët.
I pyetur nga gazetarët nëse marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe janë në përputhje me legjislacionin evropian, Kosta u përgjigj se Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka dërguar një letër ku është shprehur qëndrimi i BE-së – kushti është respektimi i rregullave evropiane për prokurimet publike dhe mbrojtjen e natyrës.
“Është thelbësore të ruani marrëdhënie të mira me fqinjët, veçanërisht me ato shtete që tashmë janë anëtare të BE-së,” shtoi Kosta.
Presidenti Milatoviq e quajti këtë vizitë një shtysë të fortë, jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë rajonin në rrugën drejt integrimit evropian. Ai theksoi rëndësinë e vizitave të njëpasnjëshme të Kostës dhe Kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, përpara samitit të rëndësishëm në Tiranë.
“Kjo vizitë është vazhdimësi e dialogut që kemi ndërtuar. Mali i Zi është krenar për statusin si udhëheqës i integrimeve evropiane. Synimi ynë është të bëhemi anëtarët e ardhshëm të BE-së deri në vitin 2028,” theksoi Milatoviq.
Ai shtoi se është në pritje që në Konferencën e ardhshme Ndërqeveritare – e cila shpresohet të mbahet në qershor gjatë presidencës polake – të mbyllen sa më shumë kapituj negociues.
“Bashkimi Evropian mbetet shembull i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, dhe për këtë arsye ne dëshirojmë të jemi pjesë e këtij klubi. Por vlerat evropiane nuk janë të mirëqena; për këtë arsye Mali i Zi po përshtat politikat e veta me ato të BE-së para anëtarësimit,” shtoi presidenti.
Ai theksoi gjithashtu se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Mali i Zi ka treguar një qëndrim të qartë politik dhe ka ndarë qëndrimin e BE-së për nevojën e një paqeje të qëndrueshme në atë vend – transmeton Vjesti përcjell Dukagjini.