Ish-diplomati Sylë Ukshini ka folur lidhur me renditjen e vizitave të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar vizitën e parë në Beograd si një mesazh të gabuar dhe jo serioz nga ana e Bashkimit Evropian.
“Duke i lexuar aktet diplomatike edhe të mëhershme, unë them se nisja e takimit nga Beogradi për mua është një gjest i papjekurisë dhe i jo seriozitetit të BE-së. Aq më tepër kur Vuçiq vjen nga shtrati i dashurisë së tij me Hitlerin rus”, ka deklaruar Ukshini në emisionin FIVE.
Ai ka theksuar se kjo qasje e BE-së, në vend që ta ndëshkojë sjelljen e Serbisë dhe lidhjet e saj me Rusinë, po e legjitimon Vuçiqin në sytë e publikut ndërkombëtar.
“Fakti që Vuçiq tallet, fakti që ti i shkon atij, dhe shkuarja në Beograd pas samitit të Tiranës, do të duhej të ishte një sinjal se ai e meriton të jetë i fundit”, ka shtuar Ukshini.
Sipas tij, Bashkimi Evropian është duke hyrë në një fazë të rrezikshme ku, përmes mënyrës si e trajton Serbinë dhe Kosovën, po rrezikon të dëmtojë vetë procesin e shtetësisë së Kosovës.
“Nuk mund t’i thuash Serbisë ‘duhet të bësh dialog’, derisa pesë vende të BE-së nuk e njohin shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar ai.
Ukshini ka vlerësuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka hyrë në një fazë që po e dëmton më shumë Kosovën sesa që po sjell zgjidhje.