Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në kuadër të konsultimeve politike për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.
Sipas njoftimit të publikuar nga Presidenca, takimi është mbajtur pas pranimit të kërkesës nga Nisma Socialdemokrate. Në fokus të bisedës ishin zhvillimet e fundit politike dhe mundësitë për tejkalimin e ngërçit institucional që ka bllokuar zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit pas disa seancave të dështuara.
Ky është një nga takimet e shumta që Presidentja Osmani ka zhvilluar me liderët politikë për të diskutuar rrugëdaljet nga situata aktuale, pas zgjedhjeve të mbajtura dhe dështimit të përsëritur për formimin e organeve të reja të Kuvendit.