Mbreti spanjoll Felipe VI bëri thirrje sot për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse evropiane me ndihmën e NATO-s, nga e cila, siç tha ai, varet në masë të madhe siguria e kontinentit.
Në një fjalim para studentëve gjatë një vizite në qytetin belg të Bruges, ai theksoi se është e nevojshme që kontinenti të përqendrohet në siguri dhe mbrojtje në mënyrë që të “shmanget lufta në tokën evropiane”, raporton portali “Razón”.
Mbreti Felipe paralajmëroi se kjo është “një kohë në të cilën multilateralizmi, atlantizmi dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po gërryhen qartë” , prandaj ai vlerësoi se bashkëpunimi i BE-së dhe NATO-s është veçanërisht i rëndësishëm.
“Hapi tjetër në projektin evropian, atë që ne vazhdojmë të ndërtojmë, është mbrojtja dhe siguria. Është një fushë e lidhur ngushtë, megjithëse jo gjithmonë e dukshme, me idenë e Evropës dhe mbijetesën e saj. Kjo është e pashmangshme për një projekt që lindi nga paqja, pas dy luftërave të tmerrshme botërore, por me një qëllim dhe aspiratë të qartë për të parandaluar që lufta të mbretërojë përsëri në tokën evropiane”, u tha ai studentëve.