Trupi i 33-vjeçarit është gjetur në liqenin e Ujmanit, në veri të vendit, pas disa ditësh kërkime intensive nga autoritetet.
Sipas informacioneve, ai dyshohet se kishte kërcyer nga një urë më 27 korrik dhe nuk kishte dalë më nga uji.
FSK-ja bëri të ditur se ekipet kanë marrë të gjitha masat për realizimin e operacionit dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe KFOR-in, pas disa orësh kërkimi intensiv kanë arritur të lokalizojnë dhe nxjerrin trupin e pajetë të të zhdukurit.
“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e Ekipeve të FSK-së, Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka urdhëruar ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra, për realizimin e operacionin humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur. Me pranimin e urdhërit, ekipet e FSK kanë marrë të gjitha masat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qëndror janë angazhuar në operacion e kërkimit të personit të zhdukur.
Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit”, thuhet në njoftim.
Pas evakuimit, trupi i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme ligjore.