Një vit më parë, Presidenca kishte konfirmuar se institucionet e sigurisë kanë mbledhur informata se si gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, po e cenon sigurinë kombëtare e rendin kushtetues të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera relevante ishin informuar për këtë veprimtari të gjyqtarit Laban.
Burimet tona bëjnë të ditur se pikërisht ky gjyqtar është caktuar të premten nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë lidhur me rendin kushtetues të Kosovës, në cilësinë e gjyqtarit raportues.
Burime tregojnë se, përderisa kryetarja paraprake e Gjykatës, Gresa Caka, nuk e caktonte gjyqtarin Laban si gjyqtar raportues në asnjë lëndë të tillë të rëndësishme, kryetari i ri i Kushtetueses, ka vepruar ndryshe duke ia caktuar atij lëndën më të rëndësishme, e cila ka të bëjë me mbrojtjen e rendit kushtetues por edhe me krijimin e precedentit për të ardhmen sa i përket krijimit të institucioneve.
“Veprimtaria e gjyqtarit Laban rrezikon sigurinë kombëtare”, Kushtetuesja s’e merr parasysh
Pra, siç kishte raportuar Dukagjini para rreth një viti presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes AKI-së e ka alarmuar Gjykatën Kushtetuese për Labanin. Institucioni i lartë i sigurisë kishte vlerësuar se “veprimtaria e Radomir Laban përbën rrezikim dhe kërcënim të sigurisë kombëtare”.
“Gjatë mandatit të saj Presidentja është informuar lidhur me veprimtari të gjyqtarit Laban të cilat, sipas vlerësimit të institucioneve të sigurisë, rrezikojnë sigurinë kombëtare. Me sugjerim të Presidentes, AKI i ka ndarë këto informacione me Gjykatën Kushtetuese si dhe me Ministrinë e Drejtësisë. Poashtu Presidentja është njoftuar që lidhur me këtë çështje AKI ka dërguar informacion edhe në institucionet e tjera të sigurisë si dhe ato të drejtësisë”, thuhet në një përgjigje për Dukagjinin nga Presidenca e Kosovës.
Edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte refuzuar kërkesën e tij për të ushtruar detyrën e noterit, me arsyetimin se kjo vendimmarrje është bazuar në të dhëna të pranuara nga AKI-ja.