SHBA dhe Gjermania dhurojnë 2 miliardë dollarë pajisje ushtarake për Ukrainën

Gjermania ka njoftuar financimin e një pakete pajisjesh ushtarake me vlerë 500 milionë dollarë për Ukrainën, si pjesë e nismës së re të NATO-s për Listën e Kërkesave me Prioritet për Ukrainën (PURL).

Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, kjo paketë është pjesë e “një prej pakove të para gjithëpërfshirëse të mbështetjes” dhe synon të tregojë angazhimin e qëndrueshëm të Berlinit për mbrojtjen e Ukrainës. Ajo do të përfshijë pajisje ushtarake që ose nuk prodhohen nga industria evropiane e mbrojtjes, ose që mund të dorëzohen më shpejt nga Shtetet e Bashkuara sesa nga partnerët evropianë ose Kanadaja. Në këtë kuadër, përfshihen edhe aftësi kritike për mbrojtjen ajrore.

Nisma PURL, e prezantuar më 14 korrik nga presidenti amerikan Donald Trump, synon të furnizojë Ukrainën me pajisje ushtarake dhe municione përmes një mekanizmi të NATO-s, i cili u mundëson aleatëve evropianë dhe Kanadasë të kontribuojnë financiarisht për blerjen e armëve dhe pajisjeve thelbësore nga SHBA. Më pas, NATO do të mbledhë furnizimet në paketa dhe do të lehtësojë shpërndarjen e tyre.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se Ukraina ka siguruar gjithashtu 1.5 miliardë dollarë armë amerikane të blera nga aleatët evropianë, duke e çuar vlerën totale të mbështetjes në rreth 2 miliardë dollarë.

 

Të fundit nga rubrika