Qeveria miraton në parim huamarrjen prej mbi 2.5 milionë euro për RTK-në

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar sot në parim kërkesën e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për huamarrje deri në shumën prej 2,540,000 euro, me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet të transmetuesit publik.

Vendimi është marrë gjatë mbledhjes elektronike të 267-të të kabinetit qeveritar.

Përveç kësaj, Qeveria ka aprovuar edhe disa vendime të tjera, përfshirë miratimin e kërkesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 24,236.29 euro dhe shtimin e dhjetë pozitave të reja në këtë komunë.

Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për transferimin e mjeteve buxhetore në shumën prej 2.3 milionë euro për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese.

Një tjetër vendim i miratuar ka qenë kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në vlerë prej 489,932.72 euro në Buxhetin e Republikës së Kosovës, që i përkasin Ndërmarrjes Shoqërore “FAN Zahir Pajaziti”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

 

Të fundit nga rubrika