Skender Musa, avokat, ka folur në FIVE në RTV Dukagjini lidhur me ngritjen e aktakuzave në mungesë nga ana e Prokurorisë së Kosovës, ku një e karakterit të tillë ishte sot ajo për 21 persona të cilët akuzohen për dëbimin me dhunë të mbi 800 mijë kosovarëve në vitin 1999.
Ai ka thënë se kjo është akuza më serioze që është ngritur deri tani nga Prokuroria Speciale dhe është një hap jashtëzakonisht i mirë.
“Një punë e madhe që ka kryer Prokuroria Speciale, sepse në Kosovë ka pasur spastrim etnik – e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës që kemi qenë të moshës madhore në atë kohë. Akuza është këtu gjithsesi e provuar me prova dhe material të bollshëm.”
“Fakti që akuza është ngritur në mungesë nuk çon asnjë peshë apo asnjë pengesë në aspektin juridik, për shkak se veç Kodi e lejon, mirëpo në anën tjetër nuk mund të pritet asnjë deklarim i tërësishëm nga të akuzuarit kur bëhet fjalë për këso akuzash. Sa i përket sjelljes në territor të Kosovës apo për t’i gjykuar, akuza dhe fletarrestimi flasin qartë se ata shtetas të ish-Federatës Jugosllave dhe tash të Serbisë, në momentin që dalin nga territori i Serbisë mund të arrestohen dhe të sillen në Kosovë për t’u gjykuar,” ka thënë ai.