Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, tha në një intervistë për “Dnevnik” të RTS-së se situata aktuale në vend është e nxitur kryesisht nga jashtë dhe se nuk ka ndodhur kurrë më parë në Serbi një shkatërrim sistematik i ambienteve të një partie politike.
Ai e cilësoi gjendjen si të papranueshme, pasi ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, dhe akuzoi një pjesë të elitës politike për sjellje të dëmshme.
Vuçiq deklaroi se protestat e fundit, të shoqëruara me incidente dhe dëme materiale, kanë përfshirë tre aktorë kryesorë: protestuesit, policinë dhe mbështetësit e tij, ndërsa theksoi se policia nuk kishte forca të mjaftueshme për të mbrojtur selitë e SNS-së. Ai tha se forcat policore u sulmuan brutalisht dhe se do të shpërblehen oficerët që u përballën me dhunë.
Duke folur për akuzat për përdorim të tepërt të forcës nga policia, Vuçiq tha se dëshiron të mbrojë edhe një të ri ndaj të cilit u përdor dhunë, megjithëse ky kishte hedhur gurë ndaj policisë. Ai mohoi pretendimet se shteti është i dobët dhe theksoi se askush nuk është më i fortë se institucionet.
Presidenti serb përsëriti se zgjedhjet do të mbahen para afatit ligjor e kushtetues dhe se “shteti nuk është lodër”.
Ai hodhi poshtë akuzat për pasuri jashtë vendit, duke theksuar se nuk ka prona apo llogari të fshehta dhe se ai dhe familja e tij kanë “ndërgjegje të pastër”.
Në lidhje me masat ekonomike, Vuçiq paralajmëroi kombinim të politikave afatshkurtra e afatgjata për të lehtësuar jetën e qytetarëve, duke shtuar se nuk do të ketë luftë civile dhe se shteti do të vazhdojë të rritet pavarësisht presioneve të jashtme.