Kompania Dubova Reisen konfirmoi për Dukagjini se një autobus i saj, me udhëtarë nga Kosova u aksidentua në Gjermani në orët e para të 20 gushtit.
Nga kjo kompani thanë se vetëm tre pasagjerë kanë pësuar lëndime.
“Janë vetëm 3 persona me lëndime të leta, jashtë rrezikut”, ka thënë Gazmend Dubova për Dukagjinin.
Nga ana tjetër media gjermane, Rosenheim24 dhe Bild duke cituar policinë gjermane, thanë se 30 persona u lënduan gjatë aksidentit.
Sipas Bild, gjashtë nga pasagjerët u lënduan rëndë dhe u dërguan në spital, ndërkaq të tjerët, me lëndime më të lehta u trajtuan në departamentin e zjarrfikësve në Irsshenberg.
Autobusi i aksidentuar po bartte 50 pasagjerë, kur u përplas me një kamion të ngarkuar me mallra në autostradën A8, afër Irsshenbergut gjatë natës.
Autobusi ishte nisur drejt Mynihut dhe shoferi, slloven 49-vjeçar, si duket e pa kamionin shumë vonë. Kamioni, i ngarkuar me perime, po drejtohej nga një polak, 47-vjeçar. Autobusi i përplas në pjesën e pasme të kamionit, pavarësisht se shoferi tentoi që të shmangte aksidentin.
Pas këtij aksidenti, autoritetet gjermane mbyllën për trafik segmentin A8 për gati dy orë.
30 të lënduar në një aksident në Gjermani: Autobusi nga Kosova përplaset me një kamion