A ju kujtohen fjalimet e Lëvizjes Vetëvendosjes kur ishte në opozitë? Ah, ato ishin thesare moralizimi politik. Në çdo bord të ndërmarrjeve publike shihnin një “skemë kapjeje të shtetit”, në çdo ambasador partiak shihnin “shkatërrimin e diplomacisë”, e në çdo drejtor shkolle me librezë partie shihnin “fundin e meritokracisë”.
Dhe s’kishte ditë që të mos na përmendnin se kur të vinin në pushtet, bordet do të ishin profesionale, ambasadorët do të ishin diplomatë karriere, institucionet do të ishin të pavarura nga partia. Madje edhe sloganet e tipit “shteti i qytetarëve, jo i partive” tingëllonte bukur, sikur një himn i një epoke të re.
Por ja që “erdhi dita” dhe epoka e re kishte manualin e vjetër – ishte ndërruar vetëm kopertina. Nga bordet e KEK-ut e Postës, tek agjencitë e pavarura e institucionet kulturore, u shfaqën emra të njohur, por jo nga konkurset e hapura, nga listat e CV’ve të qytetarëve të rëndomtë. Jo, jo – këta ishin emra të njohur nga fushatat, protestat dhe zyrat e partisë.
Kush u bë shef në KEK? Kush e mori drejtimin e Postës? Po të ndërmarjeve tjera publike, agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera? Natyrisht, militantë partie. Qershia mbi tortë, së fundi, drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës. Një ish-zyrtar partiak i cili, po të ishte Vetëvendosja në opozitë, do të ishte përshkruar si “vegël partiake për mbledhjen e taksave sipas qejfit të pushtetit”. Në opozitë këto do të quheshin “skandale të rënda të kapjes së shtetit”. Në pushtet quhen “shfrytëzim i potencialit të njerëzve tanë”.
Këtu shfaqet ironia e madhe. Vetëvendosja nuk e shpiku nepotizmin politik – ky është një “sport” me të cilin partitë tjera janë marrë që nga paslufta. Por ajo erdhi në pushtet me premtimin se do ta shkatërronte këtë “lojë”. Sot, në vend ta shkatërrojë, thjesht ka zëvendësuar lojtarët. Fusha, rregullat dhe referët kanë mbetur po ata. Nga rezultatet e lojës përfitojnë njerëz partie.
* * *
Në bordet e ndërmarrjeve publike sot gjen më shumë CV me stemën e VV’së se sa me stemën e universiteteve. Në institucione kulturore njerëz që nuk njiheshin për krijimtari artistike, por për krijimtari slogane, sot udhëheqin politika kulturore. Në ATK, një nga institucionet më të ndjeshme për integritetin e shtetit, vendoset një figurë që për publikun nuk përfaqëson “neutralitet profesional”, por “afërsi politike”.
Kjo nuk është meritokraci, është partitokraci me makiazh të ri. Dhe është edhe më e hidhur për t’u parë, sepse po e bën pikërisht partia që e ngriti moralin si flamur. Mbrojtja e tyre standarde është e shkurtër dhe e trishtë: “Kështu është bërë gjithmonë”. E njëjta fjali që dikur e përdornin partitë tjera për të justifikuar çdo emërim të turpshëm. Por nëse ndryshimi që VV premtoi përkthehet në “ta bëjmë edhe ne, vetëm me tanët”, atëherë nuk ka ndryshim, por veç rotacion, si ndërrimi i rojës te dera e një hoteli, brenda të cilit gjithçka mbetet njësoj.
Ky standard i dyfishtë ka edhe një pasojë tjetër: e ngurtëson bindjen popullore se të gjithë janë njësoj. Dhe kur qytetari e beson këtë, pushteti bëhet më i qetë, më pak i llogaridhënshëm, e më i guximshëm për të bërë çfarë të dojë. Sepse e di që, nesër, kur të vijë dikush tjetër, do të bëjë të njëjtën gjë.
Vetëvendosja mund të vazhdojë t’i mbrojë këto emërime duke thënë “njerëzit tanë janë të aftë”. Ndoshta disa vërtet janë. Por kur kriteri kryesor duket të jetë besnikëria partiake, çdo aftësi tjetër mbetet në hije. Kjo është pikërisht arsyeja pse të tjerët dikur i quajtën “kapës të shtetit”.
Pyetja e vetme që mbetet dhe që ata kurrë nuk do ta përgjigjen sinqerisht është: A ishte morali politik një parim, apo thjesht një strategji fushate? Nëse ishte parim, sot është tradhtuar. Nëse ishte strategji, atëherë qytetarët ranë në kurthin e vjetër të politikës, se “këtë herë do të jetë ndryshe”. Nuk ishte.