Marina e Iranit nisi mbajtjen e manovrave të mëdha më 21 gusht, për herë të parë që kur përfundoi lufta 12-ditore mes Teheranit dhe Izraelit dy muaj më parë.
Radioja shtetërore iraniane raportoi se luftanijet, nëndetëset dhe njësitë detare po marrin pjesë në stërvitjet dyditore në Gjirin e Omanit.
Stërvitjet, sipas ushtrisë, përqendrohen në testimin e raketave, raketave lundruese dhe dronëve luftarakë.
Izraeli sulmoi Iranin më 13 qershor, duke bombarduar caqe në mbarë vendin. Qeveria izraelite tha se ato ishin sulme për të parandaluar Republikën Islamike që të ndërtonte një bombë bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me sulme raketore ndaj qyteteve izraelite.
Pas 12 ditësh lufte, gjatë së cilës Shtetet e Bashkuara sulmuan objektet kryesore bërthamore iraniane me armë të fuqishme konvencionale dhe më pas u arrit një armëpushim.
Marina e Iranit kryesisht mbeti e paprekur nga sulmet ajrore në mbarë shtetin.
Para sulmeve izraelite, Uashingtoni dhe Teherani kishin mbajtur negociata për një marrëveshje të re bërthamore, por bisedimet gati dymujore dështuan të prodhonin një rezultat para se lufta të shpërthente.
Së fundi, Gjermania Franca dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Qeverisë në Teheran që të negociojë, në mënyrë që të shmangë një përshkallëzim të mëtejmë ushtarak.
Megjithatë, udhëheqja iraniane mbetet skeptike dhe ka vendosur parakushte për negociata, përfshirë edhe garanci të sigurisë./REL