IKD kërkon konstituimin urgjent të Kuvendit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka bërë thirrje urgjente për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vonesat e mëtejshme po e thellojnë krizën institucionale dhe po cenojnë funksionimin demokratik të vendit.

Në reagimin e publikuar të premten, IKD ka kërkuar nga të gjitha partitë politike që të marrin përgjegjësitë e tyre, duke theksuar se barra kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas institutit, VV duhet ose të propozojë një kandidat që gëzon mbështetjen e partive të tjera, ose të arrijë një marrëveshje politike që i hap rrugë formimit të qeverisë.

“IKD konsideron se Kosova ka nevojë për lidership dhe vizion politik që vendos interesin shtetëror mbi atë partiak. Konsensusi politik është çelësi për daljen nga kriza, ndërsa respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i paalternativë dhe një vlerë që promovon qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese përcaktojnë qartë se konstituimi duhet të përfundojë brenda afatit 30-ditor, andaj çdo shmangie nga ky afat është antikushtetues.

Në këtë situatë, IKD nënvizon se përkundër faktit se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit është e të gjitha partive politike, barra kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si partia e renditur e para pas zgjedhjeve. Tashmë ky subjekt ka dy mundësi reale: ose të propozojë një kandidat për Kryetar/e Kuvendi që sipas deklarimeve të partive të tjera politike ka mbështetjen e tyre, ose të arrijë marrëveshje politike me një subjekt tjetër parlamentar. Çdo qasje tjetër çon vetëm në vonesa të panevojshme dhe bllokim institucional”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD ka paralajmëruar se moskonstituimi i Kuvendit po e lë një varg institucionesh në prag të jofunksionalitetit, përfshirë Avokatin e Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Pavarur të Mediave, Gjykatën Kushtetuese dhe Fondin e Kursimeve Pensionale.

Kjo, sipas institutit, po cenon sigurinë juridike dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Në reagim është vënë në pah edhe shkelja kushtetuese nga një numër anëtarësh të Qeverisë, të cilët njëkohësisht po ushtrojnë edhe mandatin e deputetit. Ky fenomen, sipas IKD-së, është vërtetuar si shkelje nga Gjykata Supreme.

“Përtej gjithë kësaj, gjendja e përgjithshme e funksionimit të shtetit të Kosovës është në nivel edhe më shqetësues për faktin se një numër i madh i anëtarëve të Qeverisë mbajnë pozitat në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo përkundër vendimit të Gjykatës Supreme të 15 korrikut 2025, sipas së cilit aktet e  nxjerra nga anëtarët e Qeverisë, që në kohën e nënshkrimit, kanë ushtruar njëkohësisht rolin e deputetit dhe të ministrit në detyrë, janë të kundërligjshme. Aktualisht disa deputetë vazhdojnë të ushtrojnë njëkohësisht edhe detyrën e ministrit/ kryeministrit në Qeverinë “Kurti 2”. Ky fenomen përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Ligjit, shkelje kjo tashmë e konstatuar edhe nga Gjykata Supreme”.

Instituti ka kritikuar thirrjen e seancave çdo 48 orë dhe propozimet pa perspektivë, duke theksuar se kjo vetëm sa e shtyn procesin drejt afateve kushtetuese.

“Në dritën e sqarimeve të dhëna nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, përgjegjësia e Kryesuesit të seancës, veçanërisht në këtë fazë kritike, merr një peshë të posaçme dhe një rëndësi të jashtëzakonshme për konstituimin e Kuvendit. Kryesuesi i seancës e ka detyrim që të shmanget nga çfarëdo veprimi apo praktike që do ta çonte atë në shkeljen e serishme të Kushtetutës. Ndërsa, do të duhej po ashtu që në përputhje me privilegjin që ka për kryesimin e seancës konstituive, si deputeti më i moshuar, ta ushtrojë funksionin e tij drejt konstituimit të Kuvendit, në të mirë të funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Gjatë seancës së sotme, Kryesuesi i seancës nuk duhet që ta ndërpresë seancën deri në momentin e konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar vazhdimisht propozimin e radhës nga partia e parë, deri në momentin kur kandidati/ja i/e propozuar merr shumicën e nevojshme.

Vetëm përmes një procesi të përgjegjshëm dhe dinamik mund të sigurohet konstituimi i Kuvendit dhe respektimi i rendit kushtetues. Ndërsa, kufizimi artificial me thirrjen e seancave çdo 48 orë dhe propozimi i kandidatëve pa perspektivë, vetëm sa e shtyjnë procesin në limite apo potencialisht edhe përtej afatit kushtetues.

Andaj, IKD kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryesuesi i seancës, z. Avni Dehari, të marrin përgjegjësinë e tyre institucionale dhe politike për të siguruar konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, në mënyrë që vendi të dalë nga bllokada aktuale dhe të rifitojë funksionalitetin demokratik dhe institucional”, thuhet më tej në reagim.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika