Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, tha se armatosja e Serbisë duhet parë si një kërcënim serioz për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it për sigurinë e Kosovës.
Gjersa sipas tij, Serbia e arsyeton armatosjen si shtet neutral, qëllimi mbetet krejt diçka tjetër.
“Serbia në njëfarë forme e arsyeton këtë armatosje nga fakti që si shtet neutral dhe zakonisht shtetet neutrale synojnë që t’i kenë të gjitha kapacitetet e tyre, për shkak se në doktrinën e tyre nuk presin mbështetje apo solidaritet të ndërsjellë, gjë që është ndryshe në shtetet e NATO-s, për shkak se shtetet e NATO-s, kryesisht janë të ndërtuara për të shpalosur sinergjitë e tyre dhe mbështetjen në njëra-tjetrën. Megjithatë, jo domosdo qëllimi i Serbisë është të qenit neutral, sidomos në raport me Kosovën për faktin që nuk e njeh Kosovën. Atëherë ne duhet ta kemi parasysh që armatosja e Serbisë është një kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, sidomos për faktin që Kosovës ende nuk i është hapur dera për të pasur progres në integrimet euroatlantike. Atëherë ne duhet të kemi parasysh që kjo përbën kërcënim serioz ndaj nesh”, tha Vrajolli për Ekonomia Online.
Ai shpreh pikëpamjen se disa nga armatimet mund të jenë të orientuara edhe për konsum të brendshëm dhe qëndrimin e pushtetit ndaj protestave qytetare, duke vlerësuar se politika e brendshme e Serbisë mund të ndikojë në këtë forcim të kapaciteteve.
“Duket qartë që presioni ndaj qeverisë së Serbisë është duke u rritur dhe mbase një ndër logjikat që mund të kenë ndikuar në këtë është se duke forcuar institucionet e sigurisë ndryshimi demokratik mund të mos implementohet kurrë. Po duket qartazi që pushteti është duke i rezistuar atyre protestave masive dhe nuk janë duke dashur që të dorëzohen ndaj këtyre zhvillimeve, andaj mendoj që pjesërisht ky armatim mund të jetë edhe kundër vetë qytetarëve të Serbisë”, tha ai për EO.
Vrajolli vuri në dukje rëndësinë e performancës së KFOR-it dhe shprehu shqetësime për kontigjente të caktuara në pjesën veriore, të cilat, sipas tij, mund të mos jenë plotësisht të koordinuara me komandën e NATO-s.
““Andaj, siguria e Kosovës në përgjithësi varet jashtëzakonisht shumë nga performanca e KFOR-it në Kosovë, mbase dështimi i KFOR-it është një kërcënim i hapur për sigurinë në vend dhe dështimi i KFOR-it nuk do të mund të ndodhë për shkak të neglizhencës, për shkak se mendoj që tashmë KFOR-i është jashtëzakonisht i informuar për rreziqet që situata përmban aty. Frika që mund të jetë në këtë rast është që ndonjëri nga kontigjentet e KFOR-it në pjesën veriore të mos jetë lojal ndaj komandës së përbashkët të NATO-s, për faktin që në NATO janë shpërfaqur ndasi nga disa shtete anëtare të NATO-s, sidomos në rastin e Hungarisë apo edhe të Sllovakisë. Mbase frika që këto shtete të mos e kryejnë detyrën e duhur me ndonjë tendencë të caktuar nuk duhet të përjashtohet. Mendoj që institucionet e Kosovës duhet të jenë jashtëzakonisht aktive që t’i bëjnë presion KFOR-it që këto kontigjente të mos jenë në pjesën veriore apo të paktën që të kenë një sy shtesë drejt këtyre kontingjenteve, për shkak se siguria është diçka që është vështirë të besohet se këto shtete nuk bëjnë ndonjë akt. Assesi ne si shoqëri sigurinë tonë të mos ia lëmë fatit”, tha ai për EO.