Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar të hënën një urdhër ekzekutiv duke urdhëruar sistemin gjyqësor që t’i ndëshkojë ata që djegin apo përdhosin flamurin amerikan.
“Nëse digjni një flamur, ju do të burgoseni për një vit, pa mundësi për të dalë më herët”, ka thënë Trump teksa e ka nënshkruar urdhrin në Zyrën Ovale.
Urdhri udhëzon gjyqtarët që t’i ndëshkojnë njerëzit që shkelin ligjet për përdhosjen e flamurit dhe të ngrejnë padi për të sqaruar fushëveprimin e Amendamentit të Parë lidhur me këtë çështje.
Ai, gjithashtu, ka kërkuar që shkelësve t’iu pezullohen vizat, lejet e qëndrimit dhe procedurat e naturalizimit.
“Flamuri amerikan është simbol i jetës tonë kombëtare, i cili duhet t’i bashkojë dhe përfaqësojë të gjithë amerikanët”, është thënë në urdhër.
“Përdhosja është vepër shumë ofenduese dhe provokative. Është deklaratë përbuzjeje, armiqësie dhe dhune kundër kombit tonë”, është thënë mes tjerash në dokument.
Administrata Trump ka thënë se në vendimin e Gjykatës Supreme për Amendamentin e Parë nuk mbrohen veprimet sikurse përdhosja e flamurit amerikan.
Mirëpo, Gjykata Supreme ka thënë më 1989 se djegia, apo shkatërrimi i flamurit kombëtar, mbrohet si e drejtë e shprehjes së lirë./REL