Dogana e Kosovës ka parandaluar hyrjen në vend të një sasie të konsiderueshme mallrash të dyshuara si të falsifikuara, në kuadër të një kontrolli të kryer mbi një ngarkesë të paraqitur për import përmes Portit të Durrësit.
Sipas njoftimit, gjatë ekzaminimit të ngarkesës janë identifikuar gjithsej 7,500 produkte, të cilat mbanin shenja të një marke të njohur tregtare duke ngritur dyshime të forta për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Produktet e sekuestruara përfshijnë: 1,250 mbushës telefoni, 5,750 koka mbushës telefoni dhe 500 kufje dhe dëgjues me bluetooth.
Dogana bën të ditur se mallrat ishin të ambalazhuara në mënyrë që nuk tregonin përmbajtjen e saktë në paketimin e jashtëm, por pas hapjes u konstatua se ato përmbanin produkte të dyshuara si të falsifikuara.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e tregut dhe konsumatorëve nga mallrat e falsifikuara dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në përputhje me kompetencat e saj”, thuhet në komunikatë.