Ekipet e shpëtimit po përdorin helikopterë për të kërkuar të mbijetuar në rrënojat e fshatrave të largëta në Afganistanin lindor, pas një tërmeti të fuqishëm që vrau 800 persona dhe plagosi 1,800 të tjerë.
Shumë persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e shtëpive të tyre pas tërmetit me magnitudë 6.0 të shkallës Rihter që goditi të dielën pranë kufirit të vendit me Pakistanin.
Autoritetet kërkuan nga ajri për të dytën ditë të martën, ndërsa rrugët e bllokuara nga mbeturinat dhe terreni malor në zonat e prekura e vështirësoi udhëtimin tokësor.
Qeveria e talebanëve ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara kanë lëshuar fonde emergjente, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka premtuar 1 milion paund (1.3 milion dollarë) ndihmë.
Tërmeti i së dielës ishte një nga më të fuqishmit që ka goditur Afganistanin në vitet e fundit. Vendi është shumë i prirur ndaj tërmeteve sepse ndodhet në majë të një numri vijash çarjesh ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike.
Të hënën pati 90 fluturime me helikopter për të transportuar të mbijetuarit nga fshatrat e largëta në provincën Kunar.
Terreni ishte aq i ashpër në një pjesë të luginës së Mazarit saqë një helikopter dështoi të ulej pas tre përpjekjesh, tha një burim nga talibanët.
Të mbijetuarit janë dërguar në një spital në Jalalabad, i cili po mbushej me qindra pacientë në ditë që para katastrofës.
Mir Zaman i tha BBC-së se i nxori vetë fëmijët e tij të vdekur nga rrënojat.
“Ishte errësirë. Nuk kishte dritë. Dikush më dha hua një llambë dhe pastaj përdora një lopatë dhe kazmë për t’i nxjerrë. Nuk kishte askush për të ndihmuar sepse të gjithë ishin të prekur. Kaq shumë njerëz vdiqën në fshatin tim. Disa janë ende të varrosur. Familje të tëra kanë vdekur”, tha ai.
Maiwand, dy vjeç e gjysmë, pësoi lëndime në kokë dhe humbje gjaku.
“Mund ta shihni situatën e tij. Është kaq tragjike. Tërmeti ishte vdekjeprurës. Dua që mjekët ta trajtojnë, ta shërojnë”, tha xhaxhai i fëmijës, Khawat Gul.
Tërmeti më i fundit goditi Afganistanin ndërsa ky vend po përballet me thatësirë të madhe dhe atë që OKB-ja e quan një krizë të paparë urie.
Vendi ka përjetuar gjithashtu shkurtime masive të ndihmës, veçanërisht nga SHBA-ja këtë vit, gjë që po e zvogëlon më tej ndihmën që shumë prej këtyre njerëzve mund të kishin marrë. Kjo fatkeqësi nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të keqe.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, tha se ndihma nga Mbretëria e Bashkuar do të “kanalizohet nëpërmjet partnerëve me përvojë”, Fondit të OKB-së për Popullsinë (UNFPA) dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
India i dorëzoi 1,000 tenda Kabulit, shkroi ministri i saj i jashtëm Subrahmanyam Jaishankar në X pasi foli me homologun e tij taleban, Amir Khan Muttaqi.
Misioni indian po ndihmon gjithashtu në transportimin e 15 tonëve ushqime nga Kabuli në provincën Kunar, e cila është goditur rëndë nga tërmeti, tha ai, duke shtuar se India do të dërgojë më shumë ndihma.
Kina dhe Zvicra gjithashtu kanë premtuar mbështetje.
Të mbijetuarit do të kenë nevojë për strehim, mbrojtje dhe batanije, tha Amy Martin, e cila drejton Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Afganistan./BBC