Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka deklaruar se presidentja e Kosovës nuk duhet t’i kërkojë Lëvizjes Vetëvendosje mandatarin për formimin e qeverisë, por duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse janë shkelur parimet kushtetuese dhe garancitë për komunitetet jo shumicë në vend, me rastin e votimit për nënkryterain e Kuvendit nga komuniteti serb.
Ai ka thënë se Lista Serbe tashmë ka dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë ka afat 60 ditë për të vendosur.
“Lista serbe ka dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata i ka afat 60 ditë për të vendosur për rastin, ndërkohë për rastin e njëjtë do të duhej të aktivizohej edhe presidentja e Kosovës që të dërgoj rastin e njëjtë në Kushtetuese për arsye se ajo është vendosur para një dileme të kërkoj VV-së t’ia dërgojë mandatarin për qeveria apo jo. Në këto rrethana ne si IKD vlerësojmë se ajo nuk do të duhej ta bëjë një gjë të tillë që t’i kërkojë VV-së mandatarin por t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese nëse janë shkelur parimet e Kushtetutshmërisë, garancit Kushtetuese për komunitetet jo shumicë në Kosovë për mënyrën dhe formën se si është proceduar me rendin e ditës”, tha Jakaj në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai ka paralajmëruar se në rast të veprimit të presidentes, mund të krijohet një situatë e rrezikshme nëse më vonë Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin dhe qeverinë e dalë nga ai.
Jakaj ka shtuar se Gjykata Kushtuese mund të marr përsëri mase pezullimi deri në vendimin përfundimtar.
“Në ndërkohë se çka mund të ndodhë gjatë kësaj kohe, Gjykata po presim edhe besojmë që do të merr një masë të përkohshme sepse dëmi mund të jetë i pa riparueshëm në rast se presidentja do të aktivizohet dhe do të kërkonte mandatarin për formim të qeverisë së Kosovës. Sepse paramendoni situatën sikur të kishte një formim të qeverisë dhe më pastaj Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë atë Kuvend dhe rrjedhimisht do të kishim një qeveri jo Kushtetuese nga një Kuvend jo Kushtetues dhe për këtë çështje Gjykata Kushtetuese do të duhej të ishte më e shpejtë në trajtimin e lëndës duke mos i shmangur afatet procedurale por me shpejtësinë më të madhe që ta trajtojë një lëndë të tillë”, u shpreh ai.
Jakaj ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, se ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit në procedimin e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë.
“Tani kemi një Kuvend që pretendohet nga Basha që është konstituar edhe një Kuvend jo kushtetues që ka nisur punën me mbledhjen e parë të kryesisë së Kuvendit një mbledhje e cila është jo kushtetuese, e pa ligjshme dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe në kundërshtim edhe me parimet demokratike dhe parimet e sundimit të ligjit. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhte, kryetari Basha do të duhej që të përsëritë votimin për nënkryetarët nga komunitetet, t’i hedhë në pako ato, t’i marrë me shkrim sipas rregullores që kërkohet nga më shumë se gjysma e deputetëve. Këtë ai do të duhej me e zbatuar në mënyrë të pa diskutueshme duke mos i cenuar të drejtat e komuniteteve. Aktualisht kryetari Basha është duke i cenuar garancitë kushtetuese të cilat ju ipen komuniteteve jo shumicë në Kosovë në formën dhe mënyrën se si ai ka procedura me rendin e ditës”, tha ai.
Duke komentuar veprimet e fundit të kryetarit të Kuvendit, Jakaj shtoi se ai ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, rregulloren e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.
“Kryetari Basha e filloj mbarë punën e Kuvendit të Kosovës duke kërkuar nga tre partitë parlamentare shqiptare VV-PDK-LDK duke kërkuar që ata të votohen në mënyrë të përnjëhershme, në pako. Në ndërkohë ai bëri shkelje kushtetuese duke kërkuar nga komunitete jo shumicë që votimi për nënkryetarë nga këto komunitete të votohet në mënyra ndarazi jo në pako. Me këtë rast ai nuk e zbaton në mënyrë të drejtë dhe të qartë dhe të saktë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 18 gusht dhe të datës 26 korrik dhe atij të vitit 2014 ndërkohë vepron në kundërshtim edhe me rregulloren e Kuvendit edhe me praktikën e deritanishme parlamentare”, përfundoi ai./EO