Komunat e Kosovës kanë shpenzuar rreth 60% të mbi 240 milionë eurove të planifikuara për investime kapitale deri në gusht 2025, ndërsa niveli qendror ka realizuar më pak se 30%.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka theksuar se disa komuna kanë tejkaluar 90% të realizimit, duke dëshmuar efikasitet dhe përgjegjësi në menaxhimin e parasë publike.
Ai ka thënë se ndërsa qeveria qendrore ngec në zbatim, komunat i kthejnë buxhetet në projekte konkrete për qytetarët, si rrugë, shkolla, ujësjellës dhe ndriçim publik.
“Ky sukses është edhe më domethënës duke marrë në konsideratë dhe sipas mendimit tim që niveli qendror, nuk ka arritur të realizojë as 30% të buxhetit për investime kapitale. Kjo tregon qartë se ndërsa komunat përkthejnë buxhetin në projekte konkrete për qytetarët si rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, ndriçim publik etj, në anën tjetër niveli qendror ngelet në mosveprim. Përkundër sfidave të mëdha financiare dhe institucionale, komunat kanë dëshmuar vizion, përgjegjësi dhe efikasitet. Disa prej tyre kanë realizuar mbi 90% të investimeve kapitale, duke dhënë shembullin më të mirë të qeverisjes që funksionon”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, kjo është dëshmi se decentralizimi financiar është rruga e vetme për zhvillim të qëndrueshëm.