Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka publikuar një video në Facebook ku ka premtuar transformimin e stacionit aktual të autobusëve, të cilin e ka quajtur të harruar dhe të degraduar gjatë tri mandateve të fundit.
Ai tha se ky realitet do të marrë fund, pasi projekti i tij parasheh ndërtimin e një stacioni modern të autobusëve, i cili do të kthejë dinjitetin e transportit publik në qytet.
“Stacioni i ri do të ketë vendparkime për autobusë, hapësira për biletari dhe administratë, bufe, market e restorant, si dhe informacion të qartë për linjat e autobusëve. Po ashtu, do të ofrojë parking publik, sistem me biçikleta me qira dhe infrastrukturë të qasshme për të gjithë, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara. I gjithë objekti do të ketë ndriçim modern, siguri dhe funksionalitet të plotë”, tha Buja.
Ai shtoi se projekti nuk ndalet vetëm te ndërtimi i stacionit, por parashikon edhe riorganizimin e transportit publik me linja urbane të reja që do të lidhin qendrën me lagjet periferike dhe zonat ekonomike, si dhe linja ndërurbane më efikase e komode.
“Kjo nuk është thjeshtë një nismë infrastrukturore, por një vizion për një Lipjan të lidhur, të organizuar dhe modern. Me mbështetjen tuaj, këtë vizion do ta bëjmë realitet. Lipjani nuk pret më, bashkë ecim përpara”, ka thënë Buja.