Kosova mposht Suedinë në “Fadil Vokrri” dhe regjistron fitoren e parë në kualifikimet për Botërorin 2026

Kombëtarja e Kosovës ka shkëlqyer në ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, duke arritur një fitore të madhe 2-0 ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Dardanët” kaluan në epërsi në minutën e 26-të, kur Elvis Rexhbeçaj realizoi golin e parë pas një asistimi të shkëlqyer nga Dion Gallapeni, në një kundërsulm të shpejtë.

Epërsia u dyfishua pak minuta më vonë nga Vedat Muriqi, i cili shënoi pas një kombinimi të bukur me Albion Rrahmanin, duke vulosur rezultatin përfundimtar që në pjesën e parë.

Në 45 minutat e dyta, Kosova menaxhoi lojën dhe krijoi disa raste të tjera shënimi, ndërkohë që Suedia nuk arriti të gjejë rrugën drejt golit. Në minutat e fundit, Lindon Emërllahu u ndëshkua me karton të kuq, por kjo nuk e ndryshoi ecurinë e ndeshjes.

Pas kësaj fitoreje, Kosova ngjitet në kuotën e tri pikëve pas dy ndeshjeve, duke u renditur në vendin e dytë në tabelë, menjëherë pas Zvicrës. Ndeshjet e ardhshme të kualifikimeve, “Dardanët” do t’i zhvillojnë në muajin tetor.

Të fundit nga rubrika