Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë hapur një kapitull të ri bashkëpunimi për mbrojtjen e sigurisë ekonomike të vendit.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, priti sot në ambientet e institucionit Drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, në një takim të parë zyrtar mes dy institucioneve.
Ky bashkëpunim synon fuqizimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër dukurive negative që dëmtojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve thuhet në njoftimin e bërë nga ATK në Facebook.
Koordinimi i ri nuk do të mbetet vetëm në parandalimin e evazionit fiskal, por do të shtrihet edhe në adresimin e fenomeneve të tjera që rrezikojnë integritetin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.
Të dy drejtuesit theksuan rëndësinë e shkëmbimit të informacionit, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm në funksion të mbrojtjes së interesit publik. Ata vlerësuan se ky proces do të kontribuojë në rritjen e transparencës, besimit qytetar dhe në ndërtimin e një sistemi më të drejtë e më të sigurt.
ATK ka nënvizuar se mbetet e përkushtuar që përmes partneriteteve strategjike të avancojë misionin e saj në shërbim të shtetit ligjor dhe qytetarëve.