Një lokacion malor në Kozhle, afër Novi Pazarit, dyshohet të jetë vendi i një varre masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Zona ka shërbyer si deponi mbeturinash që nga viti 1999, ku mbeturina janë hedhur nga qytete të ndryshme si Tutini, Novi Pazar dhe Rashka.
Antropologu mjekoligjor Valon Hyseni, në emisionin FIVE, tha se puna në terren është e vështirë për shkak të mbeturinave, por ka shpresë për të gjetur mbetje mortore.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të punuar dhe për të gjetur, shpresojmë, mbetje mortore nga lufta e fundit në Kosovë”, tha Hyseni.
Sipas tij, Komisioni Qendror për Personat e Zhdukur i Kosovës, në bashkëpunim me komisionin serb, ka arritur të gjejë dëshmitarë që kanë konfirmuar lokacionin si vend potencial për varrezën.
“Faktikisht kemi dëshmitarë okularë që kanë parë diçka gjatë vitit 1999, dhe informatat e tyre po trajtohen dhe hetohen me kujdes”, shtoi Hyseni.
Ai theksoi se shpesh vendet për fshehjen e trupave janë të vështira për t’u identifikuar dhe se informacioni jo i saktë e vështirëson më shumë punën e ekspertëve.