“Bashkë me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje erdhëm për të luajtur këto por kur erdhëm, lëre që nuk u ndërtua por as që ka nisur ndërtimi i saj, përkundër që ishte premtuar nga ish-kryetari Veliu më 2017”, deklarimi i Shpejtim Bulliqit.
Ishte viti 2020 kur tani Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi kritikonte qeverisjen e komunës për mosndërtimin e Palestrës së Sporteve aso kohe.
Me ironi dhe një top basketbolli e paraqiste këtë dështim të qeverive të kaluara – sot gjersa mandatit të tij 4 vjeçar po i afrohet fundi, palestra ka mbetur po në të njëjtën fazë, në letër.
Pasi kishte fituar një grant nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit prej 2 milionë eurosh, i vetmi hap që është marrë drejt ndërtimit të saj, është ndarja e një parcele prej 48, 439 metër katror për të cilën, Bulliqi kishte kërkuar mbështetjen e Kuvendit Komunal.
Me aprovimin e shumicës së kësaj të fundit, parcela e cila është e pozicionuar afër të ashtuquajturës “zonës industriale”, u nda më 31 janar të vitit 2023. (DOKUMENT)
Por në terren, në parcelë nuk ka filluar asnjë hap e madje, nuk është vendosur asnjë shenjëzim për ndarjen e saj për këtë dedikim.
Për opozitën në komunë, një gjendje e tillë nuk përbën habi.
“Unë e kam pas edhe atëherë një debat me drejtorin e kulturës, i kam thënë që brenda një muaji nuk mundeni me nis se janë disa procedura po ai ka koqit që duhet me votu se po e nisim shumë shpejt. Siç duket, në 2025 ka therra, s’është punu asgjë”, ka deklaruar Ekrem Rrahmani – Asamblist i LDK-së në Podujevë.
E nga komuna, vonesën për realizimin e projektit e kanë arsyetuar me problemet pronësore dhe tërheqjen e grantit.
“Ka qenë një kontratë aktive nga viti 2017 për ndërtimin e Palestrës Sportive në qytet, por në atë hapësirë ka pasur probleme pronësore më pas ne kemi ndarë një hapësirë tjetër për ndërtimin e Palestrës por Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka larguar nga buxheti. Këto probleme tashmë janë tejkaluar dhe me buxhetin e vitit të ardhshëm planifikohet të ndërtohet Palestra e re sportive në Podujevë”, ka deklaruar Vlora Humolli-Jashanica – Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport.
Mes të tjerash, Humolli-Jashanica nuk ka dhënë detaje rreth lokacionit të ri dhe as arsyejeve për tërheqjen e grantit.