Një 73-vjeçar është arrestuar në Zveçan, pasi Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh gjatë një aksioni në rajonin e Mitrovicës së Veriut.
Sipas njoftimit të policisë të enjten, bastisja është zhvilluar në lagjen Korile, ku janë gjetur dhe konfiskuar: dy karikatorë për armë të gjata,
49 detonatorë elektrikë, një fitil ngadalë ndezës me detonator mekanik, një armë e gjatë e çmontuar me nr. serik K-414675 me dy karikatorë dhe 60 fishekë të kalibrit 7.62×39,
35 kuti të mbyllura me 525 fishekë “IK 89” (7.62×39), municion i llojeve të ndryshme, pajisje për mbushjen e tyre, si dhe mjete të tjera përcjellëse.
I dyshuari S.G., 73 vjeç, është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia ka kryer një bastisje edhe në rrugën “Prote Stojana” në Zveçan, ku janë sekuestruar një pushkë gjuetie, 12 fishekë gjuetie, 15 gëzhoja, dy sfera fishekësh dhe një rrip për mbajtjen e tyre. Për këtë rast nuk ka të arrestuar, por është identifikuar një person i dyshuar për t’u intervistuar.