Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj H.S., i cili akuzohet për veprën penale “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, H.S. nga nëntori i vitit 2009 e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Në dokument thuhet se më 22 nëntor 2015, i pandehuri kishte udhëtuar në Siri dhe i ishte bashkuar organizatës terroriste “ISIS”.
Gjatë kësaj periudhe, ai dyshohet se ka dërguar informacione te zyrtarët e BIA-s mbi numrin e shqiptarëve të përfshirë në ISIS, organizimin e tyre dhe zonat ku ata operonin në Siri.
Pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, H.S. kishte vazhduar kontaktet me BIA-në, duke u takuar në Serbi me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit, I.B., dhe duke përcjellë informata të tjera të ndjeshme.
Në këmbim të këtyre të dhënave, ai dyshohet se paguhej deri në 700 euro në muaj nga zyrtarët serbë.
Prokuroria Speciale ka propozuar vazhdimin e paraburgimit ndaj H.S. dhe kërkon nga Gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.