Armend Zemaj, deputet i LDK-së, ka folur në emisionin Five në RTV Dukagjini lidhur me vendimin e SHBA-ve për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën.
Zemaj ka thënë se ky është lajmi më i keq i mundur në kohët e fundit dhe se një lajm të tillë vetëm armiqtë e Kosovës mund ta kenë mirëpritur.
“… ndoshta veç armiqtë e Kosovës e kanë pritur një kohë të gjatë në raport me humbjen e Kosovës, siç është Serbia dhe aleatët e saj, të cilët kanë punuar në vazhdimësi për të cenuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës që të kenë një shtet të lirë dhe të pavarur, por të integruar në strukturat evropiane e euroatlantike e mbi të gjitha në partneritet dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
“Është një njollë e keqe dhe na duhet shumë punë për ta përmirësuar. Mbi të gjitha, është njëfarë kërkese që të hapim sytë se çfarë lidershipi përkrahim dhe çfarë njerëzish i vendosim në krye të institucioneve dhe cili është raporti i këtyre me këta miq dhe këta partnerë, që ka qenë mund dhe është bërë sakrificë e madhe që t’i kemi në krahun tonë”, ka shtuar ai.