Plani ishte që pas inspektimeve profesionale, të enjten të nisin gërmimet.
Por për shkak të reshjeve atmosfereike, në Kozhlje të Novi-Pazarit, pak kilometra larg liqenit të Ujmanit, autoritetet kosovare u rikthyen të premten.
Në lokacionin që është përdorur si deponi e bërllokut nga viti 1999, ekskavatorët kanë nisur punën.
Për të arritur në thellësinë 15 metërshe, deri tek zona ku dyshohet se ka trupa të të zhdukurve nga lufta e fundit, duhet punë.
“Ne sot e kemi filluar pra kompania që është e kontraktuar nga shteti i Serbisë, e ka filluar pastrimin e kësaj pjese, ku pas disa ditëve pritet që të dalim në pikën që është me interes, dhe aty të fillojmë…”, ka thënë Valon Hyseni – Antropolog i IMLS-së.
Kërkesa për të gërmuar në këtë zonë është zvarritur nga i viti i kaluar. Planet tjera ishin që inspektimet të nisin edhe gjatë muajve të verës, por zjarri i pamundësoi, për shkaqe të pasqaruara.
Për mungesën e vullnetit nga Serbia që të bashkëpunoje për gjetjen e civilëve që i zhduki gjatë luftës në Kosovë, kritika të ashpra ka shprehur, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.
Përmes një shkrimi të gjatë, Hoti e ka komentuar refuzimin që pala serbe ia bëri të enjten në Bruksel themelimit të Komisionit të Përbashkët dhe termave të referencës.
Termat e referencës janë rregullat e punës së këtij komisioni, i cili nën ndërmjetësimin e BE-së, synon që palët të ofrojnë bashkëpunim, arkiva, dosje e gjithçka që ndihmon në gjetjen e viktimave të luftës.
“Komisioni i Përbashkët ka paraparë monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur në Bruksel dhe, si mekanizëm, është përgjegjës për të monitoruar edhe hapjen e arkivave dhe zbatimin e zotimeve për qasje në territorin serb, në lokacionet e dyshuara për varreza masive. Refuzimi për të marrë pjesë në këtë mekanizëm është mohim i së drejtës së viktimave dhe pengesë e drejtpërdrejtë për gjetjen, identifikimin dhe kthimin e të zhdukurve.”- Andin Hoti – Kryesues i KQPZH-së
Hoti i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjnë dhe ta mundësojnë zbatimin e marrëveshjes që synon t’i japë fund kërkimeve për 1584 persona të zhdukur gjatë viteve 98-99.