Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është arrestuar edhe personi i dytë i dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, e ndodhur më 13 shtator 2025 në Vushtrri.
Sipas njoftimit, i dyshuari është ndaluar me aktvendim të prokurorit të shtetit, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor.
Një ditë më parë, më 14 shtator, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kishin arrestuar personin e parë të dyshuar për të njëjtin rast. Policia bëri të ditur se pas një mosmarrëveshjeje, i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri drejt veturës së viktimës, ndërsa në vendin e ngjarjes ishin gjetur tri gëzhoja.
Gjatë arrestimit të të dyshuarit të parë, policia konfiskoi një armë zjarri me pesë fishekë, për të cilën dyshohet se ishte përdorur në rastin e tentim-vrasjes. Edhe ndaj tij prokurori kishte caktuar masën e ndalimit për 48 orë.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shtetit.