Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që po zhvillohet sot në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se dëshmia e Rubin-it ka çmontuar shpifjet dhe propagandën dashakeqe ndaj luftës së UÇK-së.
“E vërteta del në sipërfaqe dhe të gjitha shpifjet dhe propaganda dashakeqe u çmontuan sot në Hagë”.
“James, të faleminderit ty, faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës demokratike që e përkrahu kushtrimin e popullit shqiptar për liri, demokraci dhe pavarësi”, ka shkruar Ahmeti.
Ai theksoi se lufta e shqiptarëve për liri ishte legjitime dhe e mbështetur nga aleatët perëndimorë.
“Lufta jonë për pragun e shtëpisë ishte e drejtë, e duhur dhe e domosdoshme, prandaj dhe u përkrah nga Washingtoni, Brukseli, Londra, Parisi, Roma, Berlini dhe e gjithë bota liridashëse”, shtoi lideri i BDI-së.