Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka thirrur për të martën dy seanca parlamentare, njërën në orën 10:00 dhe tjetrën në orën 17:00.
Në seancën e parë do të shqyrtohet dhe miratohet procesverbali i mbledhjes së 12 shtatorit, si dhe disa projektvendime të rëndësishme, mes tyre zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, sekretarëve të Byrosë dhe anëtarëve të saj.
Ndërsa seanca e pasdites do t’i kushtohet miratimit të projektvendimit për kryesitë e komisioneve të përhershme parlamentare.
Në vijim, të enjten dhe të premten, pritet që qeveria Rama 4 të marrë votëbesimin në Kuvend. Pas kësaj procedure, kabineti i ri do të zhvillojë ceremoninë e betimit mbi Kushtetutën në Presidencë.
Megjithatë, mbetet e paqartë çështja e anëtares së 17-të të kabinetit, të ashtuquajturës “ministre virtuale” Diella.
Ajo përmendet në nenin 2 të dekretit të parë presidencial, ku, përveç emërimit të Edi Ramës si kryeministër, përcaktohet edhe përgjegjësia e tij për ngritjen dhe funksionimin e Ministrisë Virtuale të Inteligjencës Artificiale.
Në kushtet kur 16 ministrat do të betohen të premten në Presidencë, nuk është e qartë si do të zhvillohet ceremonia për Diellën dhe nëse kryeministri do të mund të betohet në vend të saj. Sqarime për këtë pritet të jepen në ditët në vijim.