Avokati Kastrati: Dëshmia e James Rubin rrëzon dispozitivat e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Emrush Kastrati, avokat, në emisionin Five në RTV Dukagjini ka deklaruar se dëshmia e James Rubin në Hagë dhe pyetjet e parashtruara nga avokati mbrojtës i Hashim Thaçit kanë arritur të përmbushin kushtet për rrëzimin e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Për mua si jurist, dëshmia e sotme e James Rubinit dhe përmbajtja e saj, si dhe pyetjet që janë parashtruar nga z. Mishetiq, mbrojtësi i z. Thaçi, kanë arritur atë komparacion pozitiv për të rrëzuar të gjitha tezat, përkatësisht dispozitivat e aktakuzës që Prokurori i Specializuar ka pretenduar të vërtetojë me këtë aktakuzë ndaj krerëve të UÇK-së”, ka thënë Kastrati.

Ai ka shtuar se dëshmia e sotme për të ka qenë emocionale, pasi “në kuptim të rrëzimit të dispozitivit të aktakuzës, të tezave për zhvlerësimin e procesit gjyqësor në aspektin pozitiv dhe për dështimin e aktakuzës, nuk mbetet vetëm fakti që kemi thënë se besojmë në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, por tash juridikisht mbrojtja e ka deklasuar dispozitivin e aktakuzës sa i përket të qenit komandë, udhëheqës apo marrës vendimesh”.

Tutje, Kastrati tha se në dëshminë e Rubinit është treguar e vërteta e së drejtës në raport me “ndërmarrjen e asaj kriminale” që pretendon aktakuza.

“Këtu nuk është gjetur asnjë provë, asnjë element se krerët e UÇK-së që sot gjenden të prangosur në Hagë kanë qenë ata që kanë vendosur për fatin e luftës së UÇK-së. Z. Thaçi e ka thënë, dhe z. Rubin e konfirmoi shumë mirë gjatë komunikimit dhe pyetjeve, se ai [Thaçi] ka qenë një ndër bartësit e qëndrimeve politike në opinion publik dhe në komunikimin që ka bërë me opinionin vendor dhe faktorin ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Sipas avokatit Kastrati, dëshmia e Rubinit ka treguar qartë se Hashim Thaçi nuk kishte mundur të merrte vendime i vetëm pa pëlqimin e komandantëve të zonave gjatë procesit të Rambujesë, dhe se kjo dëshmon se vendimmarrës nuk ishte ai, por komandantët e zonave.

Të fundit nga rubrika