Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi, Kamberi kërkon zbardhjen e vrasjes së ushtarëve shqiptarë

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka paralajmëruar se përgatitjet e Serbisë për rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm po ngjallin frikë dhe pasiguri te shqiptarët e Luginës së Preshevës, për shkak të përvojave të hidhura historike me diskriminim dhe trajtim të padrejtë në ushtri.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kamberi ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Kuvend një propozim për themelimin e një Komisioni të posaçëm, i cili do të ketë mandat për të zbardhur rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve 1980.

Sipas tij, shumë prej këtyre vdekjeve u regjistruan si “vetëvrasje”, “aksidente” ose “shkelje disiplinore”.

“Aktualisht, në Serbi, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që ishin në shërbim në APJ. Kujtesa kolektive e shqiptarëve është akoma e rëndë për ato pasoja tragjike.
Prandaj, në procedurë parlamentare, sot, dorëzova Propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm, me mandat për të zbardhur rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80.
Shumë nga këto raste, të regjistruara si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”, u konsideruan të dyshimta nga familjet e viktimave, të cilat shpesh raportuan shenja dhune mbi trupat e kthyer.
Mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës ka forcuar bindjen se kemi të bëjmë me vrasje me motive etnike dhe politike, në një periudhë kur shqiptarët në APJ përballeshin me diskriminim, stigmatizim dhe armiqësi të hapur.
Ky fenomen ka mbetur i heshtur e i padokumentuar në diskursin publik në Serbi, duke reflektuar një mungesë serioze të përballjes me të kaluarën dhe të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve.
Prandaj, është koha që Kuvendi të marrë përgjegjësi dhe të krijojë një Komision të posaçëm, i cili, përveç deputetëve, do të përfshinte edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit shqiptar, për një proces të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës.
Drejtësia për viktimat është gurthemeli i pajtimit dhe i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Shija e redaktorit

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Shqipëria hap 4 kapituj të rinj në negociatat me BE...

Shqipëria do të hapë më 16 shtator katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të...

Të fundit nga rubrika