Gucati: Albin Kurti po e braktis UÇK-në, në Hagë po gjykohet Kosova, jo individët

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka kritikuar qeverinë dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për qëndrimin e tyre ndaj procesit gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Gucati tha se reagimet e qeverisë kanë qenë të vonuara dhe pa ndjenjë të vërtetë.

“Është e vërtetë që ne kemi dërguar një letër, nuk janë përgjigjur asnjëherë, reagimet e fundit të tyre kanë qenë sot përmes mediave të Hekuran Muratit, pleqtë kanë thënë më mirë vonë se kurrë. Por reagimi i tyre është i ftohtë. Lëvizja Vetëvendosje, nuk dua t’i fajësoj të gjithë, por VV-ja e ka në muaj të gjuhës UÇK, por me zemër nuk e ka me shpirt. Po ta kishte, do të sillej ndryshe me pjesëtarët e UÇK-së. Ne e dimë se çka mendon VV-ja për ne, për Hashimin, Jakupin, Veselin dhe Selimin, kështu që reagimet e tyre janë të vonshme por janë të mirëseardhura, por nuk e kanë me shpirt, nuk e besoj”, ka deklaruar Gucati.

Ai shprehu zhgënjim ndaj mosreagimit të institucioneve në kohën kur zyrtari amerikan James Rubin kishte bërë deklarata të forta kundër Gjykatës Speciale.

“Ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin, por këta nuk janë duke na nderuar, përkundrazi po na fyejnë shumë, siç juve gazetarëve, neve pak më tepër, neve na thonë se je bashkëpunëtor me Serbinë. Mua sidomos më kanë thënë edhe shokët e mi. Kanë gabuar që nuk kanë dalë më herët me deklarata, pikërisht kur ishte James Rubin, që ka dhënë deklarata bombastike, që ka bombarduar Gjykatën Speciale”, theksoi ai.

Sipas tij, nuk po gjykohen individë, por UÇK-ja dhe vetë Kosova.

“Fatkeqësisht, Albin Kurti është kryeministër i vendit në këtë kohë”, tha Gucati, duke kërkuar mbështetje më të qartë dhe më të sinqertë nga udhëheqësit shtetërorë.

Ai “thumboi” ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin që tha në konferencën për media se gjykata është e padrejtë e uron që ish – krerët të dalin të pafajshëm.

“Është dashtë të dalë nesër me falënderuar Amerikën. Tani është koha e zgjedhjeve dhe sot del Hekuran Murati thotë: Dhashtë Zoti të dalin më shpejtë, është gjykatë e padrejtë. Ne e dimë që ka qenë gabim që është votuar, por dil më herët dhe përshëndete mikun që na ka ndihmuar në ditë të vështira, të paktën falënderim. Ku është i zoti i shtëpisë, ku është kryeministri i vendit tim? Duhet të dalin në emër të qytetarëve, sepse ata që po gjykohen janë qytetarë të Kosovës. Atje nuk po dënohet Hashim Thaçi, as baci Jakup, por dënohet UÇK-ja dhe Kosova. Këtë pafytyrësi ta bën Albin Kurti, fatkeqësisht ka qëlluar kryeministër i vendit”, shtoi kryetari.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë një konference për media sot, u shpreh se besojnë në pafajësinë e ish-luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Vetëvendosje ka qenë konsistente përgjatë gjithë kohës për sa i përket Gjykatës Speciale ne kemi kundërshtuar qysh në fillim, një gjykatë që gjykon monetnikisht, pra vetëm një etni, kemi qenë kundër që të bëhet një proces i tillë. Kjo është dëshmuar edhe gjatë procesit të votimit të asaj kohe, kemi kundërshtuar, refuzuar dhe sot po e shohim që problemet që po sjellin dhe nuk qëndron ajo që na ishte thënë atëherë që do të bëhet vetëm një gjykim apo pastrim i imazhit të luftës çlirimtare. Ne shpresojmë, besojmë dhe urojmë pra në pafajësinë që gjykata megjithatë të nxjerrë verdiktin e pafajësisë për të gjithë atë që po gjykohen atej dhe të kthehen këtu dhe pastaj janë çështje të tjera se çfarë ka ndodhur pra gjatë procesit të qeverisjeve. Mirëpo sa i përket Gjykatës Speciale si të tillë  ne qysh e kemi thënë atëherë, e kemi të njëjtin qëndrim që ka qenë dhe është gjykatë e padrejtë dhe ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Murati.

Shija e redaktorit

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Shqipëria hap 4 kapituj të rinj në negociatat me BE...

Shqipëria do të hapë më 16 shtator katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të...

Të fundit nga rubrika