Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar ashpër pas raportimeve për një tjetër shkelje të hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë.
Në një deklaratë publikuar në platformën X, Kallas e cilësoi incidentin si një “provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”, duke theksuar se kjo është hera e tretë brenda pak ditësh që ndodh një shkelje e tillë e hapësirës ajrore të BE-së.
“Shkelja e sotme e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë ushtarakë rusë është një provokim jashtëzakonisht i rrezikshëm. Kjo është shkelja e tretë e tillë e hapësirës ajrore të BE-së në pak ditë dhe përshkallëzon më tej tensionet në rajon,” – shkruan Kallas.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian qëndron plotësisht në solidaritet me Estoninë dhe se është në kontakt të ngushtë me qeverinë e këtij vendi baltik.
“Do të vazhdojmë të mbështesim shtetet tona anëtare në forcimin e mbrojtjes së tyre me burime evropiane. Putini po teston vendosmërinë e Perëndimit. Nuk duhet të tregojmë dobësi,” përfundoi ajo.
Tensionet në kufijtë lindorë të BE-së janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit, ndërsa incidentet e sigurisë në hapësirën ajrore dhe detare janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.