I pafajshëm është deklaruar për akuzat për korrupsion ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
Njëjtë është deklaruar edhe i akuzuari tjetër, Besim Kamberaj, ish-ushtrues i detyrës së Sekretarit të Ministrisë që udhëheq Damka.
Në seancën fillestare të njëjtit nuk kanë dashur tu lexohet aktakuza nga prokurori special, me arsyetimin se e kanë kuptuar akuzën për çka ngarkohen.
Damka dhe Kamberaj, akuzohen nga PSRK-ja se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej rreth 1 milion eurove, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare gjatë 2021 dhe 2022.
“Gjatë hartimit të dy koncept dokumenteve për program “MARDI” dhe “YENI”, kanë qenë të kyçur aktivisht në përmbajtjen e këtyre dy koncept dokumenteve dy të pandehurit Fikrim Damka në cilësi të ministrit dhe Besnim Kamberaj në cilësi të U.D të Sekretarit të përgjithshëm të MZhR-së dhe me dashje direkte kanë përfshi OJQ “GERMIN” në koncept dokumentin e projektit “MARDI”, duke i dhënë një rol kyç në realizimin e këtij projekti, e duke e ditur se themelues i OJQ “GERMIN” ka qenë zv. Ministrja e MPJD znj. Liza Gashi, fakt i cili ka qenë medial. Po ashtu përzgjedhjen e këtyre dy OJQ-ve e bëjnë pa pasur shpallje publike ashtu siç kërkohet në nenin 12 të Rregullores MF – Nr. 04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve. Gjithashtu në koncept dokumentin e programit “MARDI” ishte i paraparë edhe zhvillimi i një platforme ëeb, e që OJQ Germin nuk kishte kapacitete për ta krijuar dhe menagjuar një platformë të tillë, nuk kishte staf adekuat për një gjë të tillë…”
Pas ngritjes së aktakuzës, Besim Kamberaj ishte shkarkuar me vendim të Qeverisë, por jo edhe Damka.